Nuk ka dyshime, Lionel Messi do të jetë fitues i “Topit të Artë” për vitin 2023

Sport

Lionel Messi do të jetë fituesi i Topit të Artë për vitin 2023. Në Spanjë nuk kanë asnjë diskutim për diçka të tillë. Lajmin e bujshëm e ka konfirmuar e përditshmja “Sport”, teksa ka arritur të zbulojë 13 ditë përpara kohe se kush do të jetë triumfuesi i mbrëmjes së 30 Tetorit në Paris.

Në ceremoninë e edicionit të 67-të të “Topit të Artë”, do të jetë pikërisht Lionel Messi, ai që do të shpallet fitues, diçka që do të ishte për herë të 8-të në karrierën e tij, duke thelluar gjithmonë e më tepër diferencën edhe me rivalin e përjetshëm, Cristiano Ronaldon, i ndalur në 5 Topa të Artë, me të fundit të fituar në 2017-tën.

Bazuar mbi këtë lajm nga Spanja, rolin më thelbësor këtë herë për Messin e ka luajtur Kupa e Botës e fituar në Katar, në Dhjetor të 2022-shit. Sulmuesi e udhëhoqi skuadrën e tij drejt një suksesi madhështor, të paharrueshëm, duke u kthyer në protagonist absolut, që prej ndeshjes së parë, e deri në të fundit, teksa edhe në finalen e madhe ndaj Francës, arriti të shënonte dy herë.

“Pleshti” e mbylli turneun si golashënuesi i dytë më i mirë, me 7 finalizime, vetëm një më pak sesa Mbappe. Messi dhuroi gjithashtu edhe 3 asiste, duke e ndarë këtë vend, bashkë me 3 futbollistë të tjerë të kompeticionit. Ndonëse Botërori u zhvillua në 2022-shin, ai llogaritet si sukses për 2023-shin, duke qenë se Karim Benzema ishte konfirmuar si fitues i Topit të Artë për 2022-shin, ende pa nisur finalet e Katarit.

Sa i përket Topit të Artë për femra, gjithmonë sipas Sport, fituese do të jetë Aitana Bonamati, lojtare e Barcelonës. Në sezonin që lamë pas, ajo ishte në një formë të përkryer, teksa fitoi Champions League, kampionat dhe Superkupë.