Nuk do ketë huazim, Real Madrid e konsideron “të paprekshëm” talentin e skuadrës

Sport

Eduardo Camavinga konsiderohet “I paprekshëm” nga Real Madrid. Në zhvilimet e ditëve të fundit të merkatos së janarit, mesfushori është komentuar për një huazim të mundshëm në radhët e Arsenalit, duke qenë se nën urdhërat e Carlo Ançelottit nuk po aktivizohet që nga minuta e parë.

Një transferim në radhët e Gunnaers, mund të bënte francezin që të kthehej menjëherë në një lojtar formacioni për teknikun Mikel Arteta. Duke marrë parasysh shkëmbimet e viteve të fundit të lojtarëve mes Arsenalit dhe Real Madrid, huazimi I Camavingas në Emirates, për një moment, nuk u konsiderua i pamundur.

Mirëpo, mesa duket, I pamundur është. Sipas trajnerit Carlo Ançelotti, e po ashtu edhe sipas raportimeve që vijnë nga mediat ndërkombëtare, Real Madrid e konsideron të paprekshëm një lojtar si Eduardo Camavinga. E ardhmja e tij është e lidhur vetëm me fanellën e bardhë dhe me asnjë klub tjetër.

Si për ta vërtetuar këtë, 20 vjeçari ka nisur të luajë titullar me Realin. Kështu ndodhi edhe të dielën mbrëma ndaj Athletic Bilbaos në kampionat. Në fund, Ançelotti mbeti I kënaqur nga paraqitja e 20 vjeçarit, aqsa u shpreh se do e shihte ritransmetim paraqitjen e djaloshit të talentuar francez, sepse kishte mbetur I mahnitur nga performanca e tij.

Camavinga u bashka me Real Madrid në verën e 2021-shit për shifrën e 40 mln eurove, ndërsa kontrata e tij përfundon në verën e 2027-tës.