Novellino i thur lavde: Gjimshiti ka të ardhme në Serinë A

Sport

novellaaa

Trajneri i Avelinos, Valter Novelino nuk është një trajner dosido. Në më shumë se dy dekada të karrierës së tij në drejtim, ai ka bërë emër edhe në stolin e klubeve shumë të njohura si Napoli, Torino e Sampdoria, ku këtë të fundit e ka drejtuar për 5 vite radhazi. Ndaj vlerësimi i tij për Berat Gjimshitin të cilin e stërvit aktualisht te Avelino në Serinë B, është mendimi i një eksperti të mirëfilltë të futbollit italian.

Zhidai-Gjimshiti është një dyshe e shkëlqyer qendre. Ky i fundit ka një të ardhme në kategorinë më lart”, ishin fjalët e Novelinos pas ndeshjes së djeshme që Avelino fitoi me rezultatin 2-0 ndaj Veronës e cila kryesonte Serinë B dhe që e humbi këtë pozicion. Paraqitjet e shkëlqyera në mbrojtje kanë ndihmuar Avelinon që javë pas jave të sigurojë pikët që i nevojiten për të dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe ka prej atyre që mendojnë se kjo skuadër tani mund të luftojë për play-off të Serisë A.

Gjimshiti është dhënë huazim te Avelino nga Atalanta deri në fund të sezonit, por presidenti i klubit të Serisë B, Valter Takone, pak kohë më parë deklaroi se ishte e pamundur të mbante më gjatë një futbollist të tillë dhe se kishte qenë me fat që kishte siguruar firmën e tij për këtë sezon.

Në një moment të tillë forme të Gjimshitit, është mëkat që mbrojtësi do të mungojë në ndeshjen e kombëtares shqiptare në mars kundër Italisë, pasi do të vuajë ndëshkimin për kartonin e kuq të marrë ndaj Izraelit.