Një tjetër lojtar ka kërkuar largimin nga Bayern Munich

Sport

Benjamin Pavard është lojtari i radhës që do të largohet nga Bayern Munich. Mbrojtësi ka edhe një vit të mbetur në kontratë me kampionët e Gjermanisë, por mediat e huaja bëjnë me dije, se këtë javë, francezi e ka informuar klubin, se dëshirin të provojë një aventurë të re në karrierë, qoftë në Spanjë, Itali, apo edhe në Angli.

Një sërë klubesh të ndryshme interesohen për anësorin e djathtë të prapavijës, por është Manchester United që kryeson listën. Djajtë e Kuq, synojnë të përforcohen pikërisht në pozicionin e Pavard dhe drejtuesit e konsiderojnë 27 vjeçarin si përforcimin e duhur.

Nga ana tjetër, Bayerni e ka pranuar vendimin e lojtarit, por që një klub të sigurojë kartonin e tij, atëherë duhet të paguajë plot 30 mln euro në arkat e klubit gjerman. Kjo është tarifa e vendosur nga 6 herë kampionët e Europës.

Ndërkohë, në kampin bavarez, po përgatiten edhe për një tjetër largim dhe pikërisht për një tjetër mbrojtës. Fjala është për Lucas Hernandez, i cili disa javë më parë, ishte pranë rinovimit me Bayernin, por, që francezi ka ndryshuar mendje, në momentin kur në skenë është shfaqur PSG. Lucas i ka thënë “po” ofertës së ardhur nga gjigantët e Ligue 1 dhe në fillim të muajit Korrik, pritet të transferohet në “Parc des Princes”.

Në rrethana si këto, kampionët e freskët të Bundesligës, nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse në afatin kalimtar të kësaj vere, të shqyrtojnë mundësitë në treg, për të përforcuar skuadrën në repartin mbrojtës.