Një tjetër lojtar i rëndësishëm i Juventusit mbyll sezonin, si pasojë e këputjes së ligamentit. Fjala është për mbrojtësin e majtë, Juan Kabal, i cili u lëndua gjatë grumbullimit me përfaqësuesen kolumbiane. Menjëherë pas një incidenti të tillë, 23 vjeçari është rikthyer në Torino për të kryer fazat e tjera, duke nisur nga operacioni e për të vazhduar më pas me procesin e rikuperimit.
Është mëse me vend të thuhet se një dëmtim i tillë, është një telash i madh për Juventusin, pasi anësori i prapavijës, ishte një futbollist që merrte minuta të konsiderueshme nga trajneri Thiago Motta, ndonëse ishte vetëm sezoni i tij i parë në Alleianz Stadium, duke qenë se Kabal u bë pjesë e Juventsit në merkaton e verës që lamë pas, duke ardhur për 12.5 mln euro nga skuadra e Veronës. Në 12 ndeshje të Serie A, 7 prej tyre Kabal ka luajtur titullar. Kaq mjafton për të thënë se ish-futbollisti i Veronës luante një plan të rëndësishëm në oragnikën bardhezi.
Kabal është lojtari i dytë i Juventusit që këput ligamentin dhe mbyll sezonin futbollistik, pas Gleison Bremer disa javë më parë. Në kushte si këto, mbetet për t’u parë se si do ta menaxhojë këtë situatë trajneri Motta, pasi përveç qendrës, në alarm tani është edhe krahu i majtë e prapavijës. Duket e pashmangshme që klubi bardhezi të mos ndërhyjë në merkaton e Janarit për të përforcuar skuadrën për pjesën e tjetër të sezonit futbollistik.