Një tjetër futbollist shqiptar drejt Serisë A italiane

Sport

Një tjetër shqiptar mund t’i shtohet kolonisë kuqezi në Serinë A, bëhet fjalë për Sokol Cikalleshi. Kavajasi, i cili është në pronësi të klubit turk Akhisar, interesohet Lecce, që është në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë për të shpresuar te mbijetesa në Serie A. Sipas asaj që raportohet nëpër mediat italiane, Cikalleshi ka profilin e duhur për drejtuesit e klubit pluljez, të cilët mësohet se kanë nisur kontaktet me agjentin e futbollistit dhe me Akhisarspor. Ndërkohë, vetë Cikalleshi e ka shprehur hapur prej disa muajsh që nuk dëshiron të luajë në ligën e dytë të futbollit turk, prandaj është i prirur që të largohet. Në këtë prizëm, klubi i sapongjitur në Serinë A mund të ishte vërtet skuadra e duhur, kur 29-vjeçari mund të tregojë vlerat e veta edhe në një kampionat të nivelit më të lartë sesa ai turk.


Mirëpo gjithmonë sipas mediave italiane, për shtatlartin e Kombëtares së Edy Rejas, interesohen edhe disa klube të ligës së parë franceze. Megjithëse vetë ai preferon shumë më tepër kampionatin italian. Gjithsesi mbetet që të shihet se cila skuadër do të arrijë të bëjë përpjkekjen më ngulmuese për sulmuesin kuqezi, i cili duket se do t’i japë lamtumirën futbollit turk pas 4 sezoneve të kaluara aty.