Një shqiptar përfiton më shumë se Zlatan Ibrahimovic në Major League Soccer. Sado e pabesueshme të duket, është fakt që Shkëlzen Gashi ka një rrogë më të madhe se suedezi i zbarkuar këtë vit në Amerikë. Pikërisht shoqata e futbollistëve në MLS, ka publikuar si çdo vit rrogat e lojtarëve në kampionatin amerikan të futbollit. Dhe tërheq vëmendjen fakti që futbollisti shqiptar paguhet më shumë sesa ylli nga Suedia, i cili u transferua në SHBA vetëm dy muaj më parë.
Ibra rezulton i 25-ti në renditjen e pagave më të larta në Major League Soccer, teksa përfiton 1,5 milionë dollarë në vit si rrogë nga kontrata që ka nënshkruar me LA Galaksi. Kurse nga ana tjetër, Gashi pozicionohet i 20-ti, falë gati 1,6 milionë dollarëve (1.668.750) që merr në vit nga akordi me klubin e Kolorado Rapids. Megjithatë, këtu nuk llogaritet fakti se suedezi ka të ardhura shtesë prej imazhit të krijuar, si dhe nga sponsorë të ndryshëm të LA Galaksi, që mësohet se i paguajnë miliona dollarë për ta pasur pjesë të reklamave të tyre. Pra ajo që është publikuar është thjesht paga bazë e suedezit.
Sa i takon shqiptarit tjetër Jahmir Hyka, ai renditet mjaft larg. Ndonëse ka pësuar një rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar. Teksa ka kaluar për herë të parë gjysmë milionë dollarë si rrogë në MLS. Saktësisht mesfushori shtatshkurtër përfiton rreth 540 mijë dollarë nga kontrata e lidhur me San Jose Earthquakes.