Një shqiptar në shënjesëtrën e Milanit

Sport

Një lajm i bujshëm është publikuar nga ana e mediave italiane. Bëhet fjalë për interesimin e Milanit, në adresë të mesfushorit të kombëtares shqiptare, Emanuele Ndoji. Lojtari i Brescia-s, pas ngjitjes në Serinë A me “dallëndyshet”, pritet të largohet nga kjo skuadër. Sidomos, duke ditur që ai zhvilloi një sezon fantastike dhe fitoi vëmendjen e shumë klubeve. Ndërkohë që së fundi ka pasur edhe një përplasje me drejtuesit e klubit breshian, që i kanë dhënë një ultimatum që të ndërrojë menaxher, përndryshe do ta largojnë nga ekipi. Prandaj, në të tilla kushte, agjenti i tij Mario Giufredi duket se është duke punuar për t’i gjetur një sistemim të ri.

E mësohet se një nga skuadrat e interesuara është edhe Milani. Për këtë duhet të jetë biseduar edhe në një vizitë që pati Giuffredi vetëm përpara pak ditësh në klubin milanez. Me zyrtaizimin e Marco Xhampaolos që firmosi për dy vjet me kuqezinjtë, shumë gjëra pritet të ndryshojnë tek Milani. Ish-trajneri i Sampdorias preferon lojtarët që dinë të luajnë topin me zhdërvjelltësi dhe Ndoji është njëri prej atyre që i pëlqen në këtë aspekt. Gjithashtu, interesim më të madh për Ndojin ka edhe një tjetër ekip i Serisë A, siç është Bolonja. Madje, skuadra e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic duket se është më pranë talentit shqiptar. Megjithëse për momentin një problem mbetet vlera e kartonit të Ndojit, që Brescia e vlerëson 5 milionë euro. Ndërsa si bolonjezët, ashtu edhe kuqezinjtë, duket se duan ta marrin për më pak.