Një nga më të mirët e skuadrës, Interi mund të rinovojë kontratën me një lojtar

Sport

Edin Dzeko mund të rinovojë kontratën me Interin. Sulmuesi I qendrës ka një marrëveshje me klubin zikaltër deri në fund të këtij sezoni, mirëpo pritet që aventura e lojtarit në San Siro të zgjasë ende dhe të mos ketë një fund kaq të shpejtë.

Të paktën kështu është shprehur Drejtori I Përgjithshëm I 19 herë kampionëve të Italisë, Giuseppe Marotta.

“Nuk mendoj se situata e Edin Dzekos do përfundojë si ajo e Ivan Perisiç. Ai ka treguar se dëshiron të qëndrojë me ne, ka shfaqur respekt për fanellën dhe ka qenë gjithmonë aty për të shënuar. Si pasojë, Dzeko e meriton rinovimin e kontratës, por për të arritur në këtë përfundim, duhet të dëgjojmë edhe vetë dëshirën e sulmuesit”, ka thënë Marotta.

E në fakt, këtë sezon futbollistik, Dzeko është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm të skuadrës zikaltër. Në 21 ndeshjet e luajtura mes Champions League dhe kampionatit, boshnjaku ka arritur të shënojë 9 gola dhe po ashtu ka dhuruar 4 asist për shokët e skuadrës.

Duke marrë parasysh këtu mungesën e Romelu Lukakut, kontributi I tij ka qenë thelbësor për Interin dhe së bashku me Lautaro Martinezin në krye të sulmit, janë kthyer në shqetësim serioz për çdo kundërshtar.

Pasi nga njëra anë, Interi është shprehur I gatshëm për të rinovuar me Dzekon, tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigja e vetë lojtarit.