Eshtë më i shpejtë një motor apo një makinë sportive? Ky është debati më i madh në botën e garave të shpejtësisë dhe si duket nuk i kanë rezistuar as ata të Moto GP-ës, të cilët kanë organizuar një garë kokë më kokë mes një motori dhe një makine garash të IndyCar. E gjitha është organizuar në Indianapolis të Shteteve të Bashkuara. Përballë Hondas së Dani Pedrosa-s, ishte Dallara e Marco Andrettit. Një motor 158 kilogramësh V4 me 240 kuaj fuqi përballë një një-vendëshe 715 kilogramshe, V6 me 700 kuaj fuqi.
Nisje e shpejtë, garë e fortë. Pedrosa duket më i shpejtë në pjesët e drejta dhe shkëputet disi, por në kthesa Andretti, falë 4 gomave ka më shumë tërheqje dhe rikuperon kohë. Në fund? Triumfon Pedrosa, pra motori.
Videoja është publikuar në kanalin zyrtar të MotoGP-së, ndërkohë që nga shumë sportdashës ka pasur komente të ndryshme, ku më pikantet janë ato që kërkojnë një përballje të një Motori të MotoGP-së me një makine të Formulës 1 e sidomos të dy kampionëve si Marc Marquez dhe Lewis Hamilton.