Një “Luftë e Ftohtë” ka nisur në sportin e futbollit

Sport

Në botën e futbollit ka nisur një “Luftë e Ftohtë”. Në njërën anë qëndon FIFA, kurse në anën tjetër, Ligat Europiane dhe Unioni në Mbrojtje të Futbollistëve Profesionistë. Ngërçi i ngritur në këtë mes ka të bëjë me kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve që klubet, apo kombëtaret po përballojnë, apo do vazhdojnë ta përballojnë, pasi kjo gjë sjell në lodhjen fizike deri në limite të lojtarëve. Në Qershor, Ligat Europiane dhe Unioni e Lojtarëve depozituan në Gjykatën e Brukselit një document, me ankesën se çdo plan që po harton, FIFA po vepron e vetme, pa marrë mendimin e palëve të tjera, duke hartuar kompeticionie si Kupa e Botës për Klube, apo turne të tjerë për Kombëtaret. Më tej, në shkresë, bëhet me dije se vendime të tilla, rrezikojnë edhe shëndetin e lojtarëve dhe njëkohësisht, FIFA është duke ndjekur vetëm interesin e saj komercial, kurse nga ana tjetër, dëmton interesin ekonomik të klubeve, apo përfaqësueseve.

Ligat dhe Unioni, nënvizojnë se diçka e tillë nuk mund të pranohet, sepse vendimet që merren, po përcaktohen vetëm nga njëra palë.

Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar edhe FIFA, që në raportin e saj, e ka kundërshtuar diçka të tillë, duke nënvizuar se gjithçka është bërë në përputhje të të gjithë rregullores nga Këshilli i FIFA-s, dhe se kur janë marrë vendime për hartimin e kompeticoneve të ndryshme, të gjitha palët kanë qenë prezente në tavolinë, duke përfshirë anëtarë të të gjitha shteteve.

Nga Zyrihu, FIFA pretendon se është i vetmi instrument që garanton vazhdimësinë e futbollit anembanë globit, duke marrë gjithashtu përsipër mbrojtjen e interesave të përgjithshme të futbollit në botë, apo mbrojtjen e interesave të lojtarëve, në të gjitha nivelet që ata marrin pjesë.