Me Mauricio Pochettinon në krye, Chelsea ka nisur një projekt të ri. Skuadra thuajse është rinovuar tërësisht, teksa klubi me bazë në Londrën Perëndimore po bëhet gati të nisë sezonin, me synimin për t’u rikthyer sërish në nivele të larta.
Largimi i Cesar Azpilicueta, do të thoshte se skuadra kishte nevojë për një tjetër kapiten. E në fakt, kjo tashmë është një çështje e zgjidhur. Zyrtarisht, Reece James është zgjedhur kapiteni i ri i Chelsea. Vendimi është marrë nga klubi, në bashkëpunim me trajneri Pochettino.
Ndonëse vetëm 23 vjeç, pikërisht një elementi si Reece James i është besuar një detyrë e tillë. E në fakt, kjo e ka edhe një shpjegim. Përtej faktit që James është një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në botë, duke zotëruar një potencial të jashtëzakonshëm në këmbët e tij, ai zotëron gjithashtu një mentalitet të fortë. Fjalët e tij kanë mjaft ndikim në dhomat e zhveshjes, cilësi këto që plotësojnë figurën e një kapiteni.
Më tej, James është pjesë e Chelsea prej një jete tashmë. Ai është bërë pjesë e akademisë së klubit që në moshën 6 vjeçare, kështu që e njeh klubin më mirë se kushdo tjetër që është pjesë e skuadrës.
“Jam i lumtur që kam marr këtë rol dhe këtë përgjegjësi. E di se përpara më pret një detyrë e vështirë, sepse në të shkuarën kemi pasur kapitenë të mëdhenj, por jam gati. Jam pjesë e Chelsea përgjatë të gjithë jetës sime. Kur erdha këtu isha vetëm 6 vjeç dhe kam kaluar nëpërmjet disa etapave të vështira. Tashmë që u bëra kapiten, për mua dhe për familjen time, është një ndjesi që nuk mund të thuhet dot me fjalë”, ka thënë ndër të tjera briatniku.
Fjalë pozitive për kapitenin e ri të skuadrës ka thënë edhe trajneri Mauricio Pochettino, i cili ndër të tjera ka veçuar se me sjelljen dhe përkushtimin e tij tek Chelsea, Reece James jep një shembull që jashtëzakonshëm, që duhet të ndiqet nga çdo futbollist tjetër.
Në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Premier League, që nis këtë fundjavë, Chelsea do të presë në shtëpi skuadrën e Liverpool.