Një ish-lojtar i Mancester United u jep të drejtë fjalëve të Cristiano Ronaldos

Sport

Jesse Lingard u jep të drejtë fjalëve të Cristiano Ronaldos. Në prag të nisjes së Kupës së Botës, në një intervistë, CR7 doli publikisht kundër Manchester United, duke thënë ndër të tjera se, klubi është shumë pas në krahasim me rivalët, sa i përket infrastrukturës së përgjithshme, duke nisur nga ambientet stërvitore, palestra, apo qoftë edhe kuzhina.

Pas atyre fjalëve që bënë mjaft bujë, CR7 ndërpreu kontratën me Manchester United 6 muaj përpara fundit, për t’u transferuar më pas në Arabinë Saudite, në radhët e skuadrës së Al Nassr.

Mirëpo, kur nga ai moment nuk kanë kaluar as dy muaj, një ish-shok skuadre i Ronaldos, sikurse është Jesse Lingard, i ka dhënë të drejtë deklaratës së portugezit.

Britaniku, tashmë pjesë e Nottingham Forest, u largua me parametra zero në verë nga djajtë e kuq, është rikthyer për të shkuarën dhe ka diskutuar mbi ambientin e Manchester United.

“Mendoj se United është shumë larg nga të tjerët. Nëse sheh mjetet stërvitore të Manchester City, apo të Tottenham, e kupton se ata janë milje përpara. Të gjitha kushtet në kampin e djajve të kuq, duhet të jenë më moderne, në mënyrë që të konkurosh me të tjerët. United është një nga klubet më të mëdha në botë dhe për këtë arsye duhet të modernizohet dhe të ngjitet në nivelin e të tjerëve”, ka thënë Jesse Lingard.