Një ish-interist mund të rikthehet në Milano, por këtë herë në anën kuqezi të qytetit. Fjala është për Mauro Icardin, sulmuesin, që në sezonin e lënë pas, tregoi edhe një herë tjetër se nuk e ka humbur aspak instiktin përpara portës.
I huazuar tek Galatasaray nga klubi i PSG, Icardi shënoi 22 gola, e dhuroi 7 asiste për skuadrën nga Stambolli, duke u kthyer në këtë mënyrë në një nga gurët e themelit të atij titulli kampion të fituar. 30 vjeçari ka ende edhe një vit kontratë me PSG, e si pasojë, në fund të muajit, do të rikthehet edhe një herë tjetër në Parc des Prines, atje ku gjithësesi është i padëshiruar.
Thënë këtë, kampionët e Ligue 1, do të ishin tepër të kënaqur nëse drejt tyre vjen një ofertë nga 15, deri në 20 milionë euro për të shitur sulmuesin. E në fakt, është Milani që është duke e menduar një “operacion” të tillë. Kuqenjtë ishin drejt marrëveshjes me Marcus Thuram, por vetëm në momentet e fundit, francezi ndryshoi drejtim dhe ka vendosur të bashkohet me rivalët e qytetit, Interin.
Në kushte si këto, Milani nuk ka mbetur me zgjidhje tjetër, veçse të qëmtojë tregun e merkatos. Icardi duket pikërisht alternativa më e mirë e mundshme, duke marrë këtu parasysh edhe aspektin e dobët financiar të kuqezinjve.
E si për ta përforcuar edhe më tepër lidhjen e Icardit me Milanin, është dashur një postim në rrjetet sociale i bashkëshortes, e njëkohësisht edhe menaxheres së futbollistit, Ëanda Nara, e cila shfaqet në Milano, duke shkruar se e dashuron shumë atë qytet.
Kaq ka mjaftuar për të trazuar ujërat dhe komentet e shumta në lidhje me këtë temë nuk kanë munguar. Sidoqoftë, nëse në këtë mes, ka diçka të vërtetë ose jo, kjo mbetet për t’u konfirmuar në vazhdimësi të merkatos së verës.