Një arbitre femër do gjykojë për herë të parë sfidën Liverpool-Chelsea

Sport

UEFA përpiqet që viti pas vit të thyejë tabu dhe të sjellë çdo sezon risi në kompeticionet e saj. Një gjë e tillë do të ndodhë edhe në ‘Superkupën e Europës’, më 14 gusht, sfidë që do të transmetohet ekskluzivisht në ‘Tring’. Për herë të parë në historinë e UEFA-s, ‘Superkupën e Europës’ do ta gjykojë një arbitre femër. Stephanie Frappart është përzgjedhur si njeriu që do të vendosë drejtësi në sfidën mes Liverpoolit, që vjen si kampione e Europës pas triumfit në ‘Champions League’ dhe Chelseat, që fitoi finalen e ‘Europa League’. Në sfidën që do të luhet në Stamboll, do të hapet rruga që në të ardhmen, gjyqtaret femra të gjykojnë ndeshjet e meshkujve edhe në kompeticonet më elitarë të kontinentit, siç është ‘Champions League’-a.

Rreth 1 muaj më parë, gjyqtarja Stephanie Frappart vendosi drejtësi në finalen e ‘Kupës së Botës’ për femra mes Shteteve të Bashkuara dhe Holandës. Paraqitja e gjyqtares franceze bindi drejtuesit e UEFA-s që t’i besojnë një detyrë të tillë kaq domethënëse dhe revolucionare, sa drejtimi i ‘Superkupës së Europës’. Gjyqtaret anësore do të jenë bashkëkombësja e Frappart, Manuela Nicolosi dhe irlandezja Michelle O’Neill. Ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë një emër mjaft i njohur, si ai i Cuneyt Cakir. Stephanie Frapaart është 35-vjeçare dhe gjykon që prej sezonit 2011-2012. Ajo ka gjykuar rregullisht në kategorinë e tretë në Francë, Ligue 2 dhe Ligue 1, ku pritet që gjatë sezonit të ri të vendosë drejtësi edhe në disa prej ndeshjeve kryesore.