Nisje jo e mirë e sezonit, boshatiset infermieria e Liverpool

Sport

Infermieria e Liverpool ka nisur te boshatiset. Këtë fillim sezoni, skuadra e The Reds nuk ka qenë thuajse asnjëherë e plotë, si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme të lojtarëve të ndryshëm. Një gjë e tillë ka ndikuar edhe në fushën e lojës, teksa rezultatet nuk janë shumë pozitive.

Sidoqoftë, momenti negativ mund të konsiderohet i përfunduar dhe Jurgen Klopp mund të ndihet disi më i qetë. Së fundmi, skuadrës i janë bashkuar dy lojtarë shumë të rëndësishëm, të cilët kanë lënë pas dëmtimin dhe janë të gatshëm për t’u vendosur nën urdhërat e takticienit gjerman.

Në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës janë bashkuar Jordan Henderson dhe Ibrahima Konate. Mesfushori vuante nga një tërheqje muskulore, të pësuar në ndeshjen ndaj Neëcastle United, por tani gjithçka duket në rregull dhe 32 vjeçari ka rifituar edhe një herë tjetër formën fizike.

Sa i përket mbrojtësit Konate, shtatlarti i qendrës së prapavijës, nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon. Që prej fundi të korrikut, ai vuan nga një lëndim në gju, të pësuar në miqësoren ndaj Strasbourg në fazën përgatitore.

Po ashtu, për Klopp tanimë janë të gatshëm Thiago Alcantara, Joel Matip, apo edhe Diogo Jota. Për momentin, të vetmet mungesa që shqetësojnë numrin një të pankinës në Anfield janë Naby Keita, Alex Oxlade-Chamberlain dhe Andy Robertson, që gjithësesi pritet të rikuperohen së shpejti. Robertson u dëmtua në gju gjatë takimit të Champions League ndaj Napolit, e si pasojë do jetë jashtë fushave edhe për disa ditë të tjera. Megjithatë, në vend të skocezit do luajë greku Kostas Tsimikas.