Interi ka vazhduar nisjen e shkëlqyer të sezonit, edhe në ndeshjen e javës së 3-të të Serie A. Në shtëpi, zikaltërit mposhtën me rezultatin e thellë 4-0 Fiorentinën, në një sfidë që foli vetëm për të besuarit e Simone Inzaghit.
Përveç Marcus Thuram dhe Hakan Çalhanoglu, dy golat e tjerë të sfidës, u shënuan nga lojtari i momentit në organikën e nënkampionëve të Europës, Lautaro Martinez. Kapiteni, e dërgoi topin dy herë në rrjetëv e vjollcëve, duke shkuar tanimë në kuotën e 5 finalizimeve.
Në këtë mënyrë, që pas vitit 2000, argjentinasi është bërë vetëm lojtari i dytë i Interit që e shënon 5 gola në 3 javët e para të Serie A. Diçka të ngjashme e ka bërë vetëm bashkëkombasi i tij, Mauro Icardi.
Jo vetëm, kaq. Inter ii drejtuar nga Simone Inzaghi po funksionon në mënyrë të mrekullueshme edhe në fazën mbrojtëse. Asnjë gol i pësuar, duke u bërë kësisoj, skuadra e vetme në ligat kryesore të kontinentit që e mban portën të paprekur. Për herë të fundit, që Interi nuk pësonte gol në 3 javët e para të kampionatit, ndodhte në vitin 1966. Kaq mjafton për të kuptuar se zikaltërit kanë nisur gjithçka me këmbën e mbarë.
Si pasojë, djemtë e Inzaghit kryesojnë tabelën e klasifikimit me 9 pikë, po aq sa Milani i vendit të dytë, që ka një golavarazh më të ulët.
Pas pauzës së kombëtareve, në 16 Shtator, të dy gjigantët e Milanos do të vendosen përballë njëri-tjetrit në Derbin e Madoninës, që ashtu si gjithmonë, edhe këtë herë garanton spektakël të jashtëzakonshëm