Pavarësisht vetëm 8 pikëve në 7 javët e para të kampionatit dhe vendi i 12-të në tabelën e klasifikimit, Jose Mourinho nuk dorëzohet për vijueshmërinë e sezonit. Madje, trajneri portugez ka bërë gjithashtu edhe një premtim për tifozët e Romës.
I pyetur rreth situatës aktuale, “Special One” evidentoi punën e dy sezoneve të kaluara, duke përmendur dy finalet e njëpasnjëshme europiane, atë të Conference League, që e fitoi ndaj Feyenoord dhe atë të Europa League, që u mposht nga Sevilla.
“Me Romën kam fituar një trofe dhe ishim shumë pranë një tjetri. Asgjë nuk ka përfunduar, sepse këtu kam ende edhe 6 muaj, kështu që ende nuk ka përfunduar asgjë”, ka deklaruar 60 vjeçari.
Thënë këtë, mesazhi i numrit një të Romës është i qartë për publikun e “Olimpicos”, që pavarësisht nisjes së dobët, sezoni është i gjatë dhe skuadra verdhekuqe ka potencial për ta përmbysur situatën.
Përveç ambicies në Serie A, Roma e Mourinhos, kërkon të bëjë një tjetër udhëtim të gjatë europian. Synon të shkojë sërish në finalen e Europa League, por këtë herë për të marrë edhe trofeun në shtëpi.