Duket gjithçka gati për finalen e shumëpritur të Champions, midis Realit të Madridit dhe Liverpulit. Të dyja skuadrat kanë mbërritur në Kiev. Spanjollët janë sistemuar në hotel “Oper”, vend ku në 2012 u grumbullua edhe Spanja para finales se Europianit me Italinë, fituar nga iberiket. Kurse “Reds” kanë zgjedhur “Intercontinental”, një ndër më luksozet e kryeqytetit ukrainas. Të dyja ekipet do të zhvillojnë stervitjen e fundit këtë të premte pasdite në stadiumin e finales. Zidane e ka skuadrën e kompletuar, madje ka marrë me vete edhe të birin portier, i cili gjithsesi me shumë mundësi duhet të përfundojë në tribunë për ndeshjen e nesërme. Nga ana tjetër, Klopp duhet të bëjë llogaritë me tre mungesa, që janë Oxlade Chamberlain, Matip dhe Gomez. Në radhët e madrilenëve më i shumëprituri nga tifozët vendës ka qenë Cristiano Ronaldo, ndërsa sa i takon anglezëve, natyrisht vëmendja ka qenë te Momo Salah.
Ndërkohë që në kryeqytetin ukrainas ka nisur të ndihet atmosfera e eventeve të mëdha, me shumë tifozë që kanë mbushur rrugët me flamuj dhe korre në favor të skuadrave respektive. Megjithëse 1 mije bileta nga tifozet e skuadres spanjolle janë anuluar për shkak të çmimeve shumë të larta të akomodimit nga hotelet vendase, por ato vende në stadium do të mbeten bosh. Gjithsesi, Kievi është “pushtuar” nga tifozët, teksa masat e sigurisë janë shumë të larta për sfidën e madhe te së shtunës, që jepet ekskluzivisht në orën 20:45, në TRING SPORT 1 HD.