Nis epoka e re e UEFA Champions League, shorti cakton përballje spektakolare

Sport

Të Enjten e 29 Gushtit, në Monaco, për kompeticionin më spektakolar të futbollit të klubeve, UEFA Champions League, nisi një epokë e re. Pas më shumë se dy dekadash, metoda klasike e fazës së grupeve, nuk do të jetë më. Formati është zgjeruar dhe ka marrë një tjetër pamje. Nga 32 klube që kanë qenë zakonisht, tani e në vazhdim do të jenë 36-të. Përgjatë kësaj faze, çdo ekip do të luajë 8 ndeshje dhe jo nga 6 sikurse ishte zakonisht. Në sezonin e ri që sapo ka filluar, 2024/25, përpara fazës me eliminim, skuadrat do të zhvillojnë një fazë lige, dhe pikërisht në shortin e mbajtur në Monaco, klubet kanë mësuar kundërshtarët e tyre respektivë, ku nuk mungojnë ndeshjet spektakolare, që do të mbushin shkallët e stadiumit dhe do të gozhdojnë përpara ekranit miliona shikues. Kampionët në fuqi të Real Madrid do të takohen sërish me një fytyrë mjaft familjare për ta, që është Liverpooli. Po ashtu kur kanë kaluar vetëm pak muaj nga përballja e fundit, që ishte edhe finalja e sezonit të shkuar, Real Madrid dhe Dortmund do të sfidohen sërish. Më tej, Manachester City-Inter, apo Bayern-PSG, të gjitha këto, ndeshje që na rikthejnë në kujtesë finalet e viteve të fundit në UEFA Champions League. Gjithashtu, nuk do të mungojnë edhe betejat e tjera spektakolare, sikurse janë City-Juventus, apo Paris-City. Tjetër ndeshje interesante do të jetë edhe ajo med Dortmundit dhe Barcelonës. Ndeshjet e para të sezonit të ri të UEFA Champions League do të luhen nga datat 17 Shtator, deri në 19 Shtator.