Niko Kovac duket se është i përzgjedhuri i drejtuesve të Bayern Munich sa i përket stolit të skuadrës. Sipas asaj që raporton “Bild”, burime të sigurta pranë klubit kanë konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje paraprake e verbale mes 46-vjeçarit dhe presidencës së kampionëve të Gjermanisë. Një kontratë 3-vjeçare dhe besim e mbështetje të plotë nga ana e klubit, janë ato ç’ka e kanë bindur kroatin të zërë vendin e Heynckes ne stolin e Bayern, pasi ky i fundit e ka paralajmëruar prej kohësh largimin në fund të këtij sezoni.
Niko Kovac është aktualisht trajner i Eintracht Frankfurt, skuadër që këtë sezon ka zhvilluar paraqitje mjaft të mira dhe është pjesë e luftës për një vend në zonën që të dërgon në kompeticionet europiane. Kroati është një surprizë sa i përket kësaj çështjeje pasi më parë, si kandidatë për stolin bavarez, diskutoheshin emra si Jürgen Klopp, Julian Nagelsmann, Ralph Hasenhüttl apo Joachim Löw.
Niko Kovac nuk është i panjohur në radhët e Bayern. Në vitin 2001, si futbollist ai u transferua nga Hamburg tek bavarezët, ku qëndroi për 3 sezone. Eksperiencat e para si trajner, Kovac i pati tek Salzburg në vitin 2011, si asistent. Ndërsa dy vite më vonë ai do të emërohej trajner i kombëtares kroate. Tek Frankfurt atij iu besua stoli në 2016-n, teksa së fundmi nënshkroi një rinovim kontrate që supozohej ta mbante te lidhur me këtë klub deri në verën e vitit 2019.