Niklas Sule i jep fund aventurës së tij me Bayern Munich…

Sport

Niklas Sule i jep fund aventurës së tij me Bayern Munich, ndërsa që prej sezonit të ardhshëm futbollstik do të bashkohet me rivalët historikë të bavarezëve, Borussia Dortmund.

26 vjeçari ishte aluduar shpesh në merkato se mund të transferohej në Premier League, aty ku Chelsea ishte një prej klubeve më të interesuara për të marrë shërbimet e tij. Megjithatë asgjë e tillë nuk ndodhi, teksa vetë lojtari ka vendosur që e ardhmja e tij të jetë në Bundesligë.

Në këto kushte, Sule do vazhdojë të luajë me Bayernin deri në fund të këtij edicioni futbollistik, ndërsa më pas, gjatë verës, do transferohet me parametra zero në radhët e Borussia Dortmund. Në Signal Iduna Park, mbrojtësi i qendrës ka firmosur një kontratë 4 vjeçare, aty ku pritet të kthehet në një prej lojtarëve kryesorë të verdhezinjve.

Në lidhje me këtë marrëveshje, ka folur vetë lojtari, i cili është shprehur se vendosi të luante për Dormtundin, në takimin me drejtuesit e klubit në fjalë, ka kuptuar se ata kishin shumë interes për të dhe shihnin tek ai një futbollist me mjaft vlera, që mund të japë një kontribut thelbësor brenda skuadrës.

Niklas Sule u bashkua me Bayern Muncich në vitin 2017-të, e prej atëherë ka fituar 13 tituj në total, mes tyre, një Champions League dhe 4 trofe të Bundesligës.