Nicolo Zaniolo mund të rikthehet në Serie A, Juventusi interesohet për të

Sport

Nicolo Zaniolo mund të rikthehet sërish në Itali, por këtë herë tek Juventusi. Sipas informacioneve që përcillen nga mediat italiane, Zonja e Vjetër ka gjetur gjuhën e përbashkët me futbollistin, që ai të transferohet në “Allianz Stadium”.

Aventura e Zaniolos në Turqi mund të zgjasë vetëm gjysmë sezoni, mirëpo që ai të zbarkojë edhe një herë tjetër në Serie, Juventusi, duhet të arrijë një marrëveshje edhe me Galatasarayn, që zotëron kartonin e futbollistit që prej Janarit të këtij viti.

Për Zaniolon, Juventusi është gati të shpenzojë deri në 25 mln euro. Mirëpo, kjo shifër konsiderohet e ulët nga gjigantët e Stambollit, të cilët do të pranonin të nisnin negociatat e shitjes për 35 mln euro, rreth 20 më tepër nga shuma që shpenzuan në arkat e Romës disa muaj më parë. Pikërisht hendeku prej 10 mln eurosh shihet si ngërçi që duhet zgjidhur në këtë çështje nga gjigantët e Italisë.

Zaniolo është vetëm 23 vjeç dhe konsiderohet ndër futbollistët më të talentuar të brezit të tij. Pavarësisht problemeve fizike, drejtuesit e Zonjës së Vjetër kanë besim se mesfushori me tipare sulmuese do të gjejë formën më të mirë të mundshme.

Kontrata e Zaniolos me kampionët e Turqisë është e vlefshme deri në 2027-tën, por nisur nga rrethanat, e ardhmja e afërt, mund t’i rezervojë ish-lojtarit të Romës, një tjetër mundësi për të luajtur edhe një herë tjetër në Serie A, këtë herë me Juventusin.