Interi është drejt rinovimit të kontratës me mesfushorin Nicolo Barella. Mediat italiane raportojnë se palët kanë nisur bisedimet dhe gjithçka është duke shkuar në rrugën e duhur. Agjenti I lojtarit është takuar dy herë me drejtuesit e shoqërisë zikaltër dhe është dakordësuar për një kontratë që pritet të rinovohet deri në verën e 2029-tës.
Në paketën e re, lojtari do të përfitojë gjithashtu edhe një përmirësim të termave financiarë. Italiani parashikohet të arkëtojë 7 milionë euro në sezon, çka do të kthente atë në një prej futbollistëve më të paguar, jo vetëm të skuadrës së Interit, por gjithashtu edhe të të gjithë kampionatit Italian.
Përveç kësaj, në kontratën e re të Barellas do të përfshihen edhe bonuse, që do të bëhen aktivë, në rast të një ecurie të mirë në UEFA Champions League dhe në Botërorin e Klubeve. Një bonus të tillë në skuadrën zikaltër, aktualisht e përfiton vetëm kapiteni Lautaro Martinez.
Për shkak të rendimentit të lartë në fushën e lojës, Barella ka qenë vazhdimit në qendër klubeve me peshë të kontinentit, mirëpo ai vazhdimisht ka treguar se zemra e tij rreth vetëm për ngjyrat zikaltër. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të përmendim këtu se në verën që lamë pas, lojtari në fjalë refuzoi një ofertë të Manchester Cityt, vetëm e vetëm për të qëndruar në radhët e Interit. Paketa aktuale e Barellas përfundon në verën e 2026-tës, por shumë shpejt, ajo do të rinovohet edhe për 3 vite të tjera. Sipas informacioneve, kjo temë pritet të marrë rrugë zyrtare rreth fundit të seonit, megjithëse periudha ekzakte do të vendoset nga presidenti I klubit, Steven Zhang.
Nicolo Barella është pjesë e Interit që prej vitit 2019 dhe me kontratën e re, ai do jetë pjesë e klubit zikaltër për plot një dekadë dhe kjo do ta kthejë atë në një prej lojtarëve më jetëgjatë që kanë mbajtur veshur fanellën zikaltër.
Sakaq, teksa një futbollist pritet të rinovojë, një tjetër parashikohet ta largohet nga Interi në fund të sezonit. Fjala është për mbrojtësin Denzel Dumfries. Kontrata e anësorit të djathtë të prapavijës përfundon në verën e 2025-tës, e ndonëse në Dhjetor, palët nisën bisedimet për të rinovuar, çështja ka mbetur pezull dhe mesa duket nuk do të përparojë më tej. Kjo do të thotë se në verë, hollandezi pritet të largohet nga Interi.