Nico Williams është objektivi madhor i Barcelonës në merkaton e verës

Sport

Nico Williams është objektivi madhor i Barcelonës në merkaton e verës. Paraqitja fantastike në Europianin e 2024-tës, e ka kthyer spanjollin, në një lojtar mjaft të kërkuar nga klubet e mëdha. E, sikurse bëhet me dije, Barcelona është një hap përpara të gjithëve. Katalanasit duan që të ndërtojnë një dyshe sulmuese bashkë me Lamine Yamal, të kthehen në një problem serioz për kundërshtarët, e për më tepër, të sigurohen për shumë vite nga e ardhmja.

Williams është në pronësinë e Athletic Bilbaos, klub me të cilin është i lidhur deri në vitin 2027, mirëpo ka një klauzolë largimi që shkon në shifrën e 60 milionë euro. Pra, kaq duhet të shpenzojë Barcelona për të siguruar kartonin e djaloshit të lindur në Pamplona, i cili sapo është shpallur kampion Europe me Spanjën, duke shënuar edhe një nga golat e finales ndaj Anglisë.

Sakaq, ndërsa Barcelona është e përqendruar në merkato, në të njëjtën kohë, skuadra ka nisur stërvitjen për sezonin e ri futbollistik dhe vëmendja është e madhe, për shkak të trajnerit Hansi Flick, për të cilin mjedisi blaugrana ka besim se do ta rikthejë klubin në nivele konkuruese. Ndihmës i teknikut gjerman do të jetë një ish-lojtar i Barcelonës, Thiago Alcantara, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur pikërisht në mbyllje të sezonit që sapo lamë pas.