E ardhmja e N’Golo Kante do jetë vetëm tek Chelsea. Ndoënse është në muajt e fundit të kontratës me Blutë e Londrës, nuk pritet të jetë e largët dita kur palët të takohen dhe të rinovojnë edhe për disa sezone të tjera.
Sikurse raportojnë mediat në ishull, mesfushori pritet të rinovojë edhe për 3 sezone të tjera e klubin e Londrës Perëndimore, pjesë e të cilit është që prej verës së 2016-tës, atëherë kur u transferua nga Leiçester City për shifrën e rreth 36 mln eurove.
Tashmë 31 vjeç, Kante konsiderohet si një prej lojtarëve më të mirë në pozicionin e tij, në rolin e mesfushorit me tipare mbrojtëse. Gjatë viteve të kaluara në “Stamford Bridge” ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Chelsea. Mirëpo në 15 Gusht të 2022-shit, francezi pësoi një tërheqje të rëndë muskulore, çka e ka lanë atë jashtë fushave të lojës deri në këtë fazë të sezonit.
Sa i përket këtij sezoni futbollistik, Kane ka humbur plot 30 ndeshje me Chelsean, ndërsa përgjatë ditëve të fundit është rikthyer sërish në stërvitje me skuadrën. Mesfushori e ka lënë pas pjesën e vështirë dhe tani do jetë plotësisht i gatshëm për trajnerin Graham Potter.
Gjatë kësaj kohe, kur Kante ka qenë duke u rikuperuar, për të nuk kanë munguar as zërat e ndryshëm në merkato, që e shihnin atë larg klubit të Chelsea. Megjithatë, asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Në të ardhmen e afërt, pritet që Kane të rinovojë deri në verën e 2026-tës me Blutë e Londrës.