Bastien Toma është futbollisti me origjinë shqiptare, i cili ka spikatur në radhët e skuadrës së Sionit në Superligën e Zvicrës. Por ende duket se nuk ka vendosur përfundimisht se cfarë ngjyrash do të përfaqësojë, sa i takon Kombëtareve. Aktualisht ka rënë sy me seleksionin zviceran të U21. Mirëpo, për mesfushorin ka pasur gjithnjë interes edhe nga ana e Kombëtares së Shqipërisë, teksa nuk ka ngurruar të ndërhyjë as Federata kosovare që është munduar të bindë 19-vjeçarin për të veshur fanelën e “Dardanëve”.Megjithatë, ja që për momentin, Toma është pjesë e Shpresave të Zvicrës dhe duket mjaft e vështirë të shkëputet nga andej. Përderisa është një nga futbollistët kryesorë të kësaj përfaqësueseje, teksa në takimin e fundit ndaj Kroacisë u zgjodh si lojtari më i mirë i ndeshjes, pasi shënoi një gol dhe shërbeu një asist.
Në një situtatë të tillë, paraqitjet me nivel të Tomës nuk kanë kaluar pa tërhequr edhe vëmendjen e disa klubeve të rëndësishëm evropian. Kështu, për futbollistin me origjinë shqiptare janë të interesuar skuadra të Bundesligës gjermane, por nuk mungon as interesimi nga klubet italiane të Atalantës dhe Torinos.Kurse sa i përket një afrimi të futbollistit në Kombëtaren shqiptare, mbetet të shihet nëse Toma në të ardhmen do të arrijë të ndryshojë mendim, apo do të preferojë të vazhdojë aktivizimin me Kombëtaren zvicerane. Teksa pak kohë më parë nuk përjashtuar asgjë, duke i lënë hapur dyert për fanelën kuqezi.