Edhe nga Shqipëria, Kosova e deri edhe Amerika kanë lëvizur për të kontribuar për gjobën prej 10 mijë frangash (8500 euro) që FIFA dha kundrejt Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, për festimin me gjestin e shqiponjës në takimin kundër Serbisë. Vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka hapur një llogari bankare për të bërë të mundur ofrimin e një kontributi simbolik, me synimin për të paguar gjobat e dhëna nga FIFA për dy lojtarët me origjinë shqiptare. “Mos kini frikë nga shqiponja”, është emri i llogarisë së hapur në një nga bankat në vend, nga ana e Edi Ramës. Teksa ka bërë thirrje për shqiptarët që të paguajnë gjobën që ai e konsideron si absurde. Gjithashtu edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani ka bërë një donacion prej 1500 eurosh, praktikisht e gjithë paga e tij mujore. Megjithëse sipas tij, paraja nuk mund të kompensojë gëzimin që Xhaka e Shaqiri i dhanë një kombi të tërë.
Ndërkohë një tjetër shqiptar i Kosovës, Rilind Reka që jeton në Nju Jork ka nisur fushatën për mbledhje fondesh. Me profesion analist në bankën amerikane Morgan Stanley, ai ka përdorur platformën “gofundme”. Sipas asaj që ka bërë të ditur, kjo fushatë është e destinuar të mbledhë fonde për lojtarët e Kombëtares zvicerane. Xhaka, Shaqiri, apo edhe Lichsteinder sollën gëzim jo vetëm për zviceranët, por edhe për të gjithë shqiptarët në të gjithë botën. Prandaj duhen mbështetur! Fushata e mbledhjes së fondeve synon të kontribuojë konkretisht në pagimin e gjobës për 3 lojtarët. “Nëse Federata Zvicerane e Futbollit nuk i pranon fondet e mbledhura, atëherë do t’i japim me kënaqësi për bamirësi”, ka shpjeguar Rilind Reka me origjinë njga Prishtina. Disa orë pas hapjes së fushatës për mbledhje fondesh, është arritur një shumë prej më tepër se 18 mijë dollarësh, dhuruar nga gati 600 persona.