Ishte një mesjavë golash shqiptarë, por nga futbollistë që janë harruar prej Christian Panuccit në Kombëtare. Duke filluar prej Azdren Llullaku, i cili tregoi se po kalon një formë mjaft të mirë tek Astra në Rumani. Ai realizoi një dygolësh në sfidën e 1/8 të Kupës kundër Kluzhit, megjithëse skuadra e tij e pa veten në disavantazh 3-0 që pas 8 minutash lojë. Por ishte Llullaku që në minutën e 14-të ndezi rindezi ndeshjen me penalltinë e kthyer në gol. E pas shkurtimit të diferencës nga autogoli i Kordo, sërish shqiptari në të 76-tën gjeti rrugën e rrjetës përmes një goditjeje me kokë që barazoi rezultatin në 3-3, duke festuar me simbolin e shqiponjës.Kaq mjaftoi edhe për të dërguar ndeshjen në kohët shtesë, aty ku një autogol i Kluzhit në minutën e 99-të solli fitoren 3-4 të Astras, që kaloi në turin tjetër.
Edhe Elis Bakaj shënoi golin e radhës në Bjellorusi. Në takimin midis Shaktar Soligorskit dhe Vitebsk, Bakaj u bë protagonist, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës të tij. Realizimi i ish-lojtarit të Partizanit, Tiranës e Kukësit gjeti rrugën e rrjetës në fillimin e pjesës së dytë (48′), duke dërguar shifrat e përkohshme në 2-0, përpara se Vitebsk të shkurtonte diferencën në minutat e fundit. Ky ishte goli i shtatë për sulmuesin shqiptar në kampionatin bjellorus, duke kontribuar që Soligorsk t’i rrëmbejë Vitebskut vendin e dytë në renditje.
Pas një kohe të gjatë shënoi edhe Liridon Latifi me Pushkash Akademi, që fitoi 0-2 transfertën e raundit të parë të Kupës së Hungarisë ndaj Dunaujavrosh, ekip i kategorisë së tretë, duke u kualifikuar për në turin tjetër. Pikërisht goli i parë i takimit u realizua që në minutën e pestë nga Liridon Latifi. Ai goditi me të djathtën, pas një lëvizjeje të bukur në hyrje të zonës kundërshtare duke e dërguar topin në këndin e portës. Ish-futbollisti i Skënderbeut pati edhe një shans tjetër të mirë për të shënuar në pjesën e parë, por goditja e tij përfundoi mbi traun e portës.