Nga Di Maria te Bale, të rejat e fundit të merkatos

Sport

di maria
Jo vetëm Ronaldon te Juventusi. Jorge Mendes duket se dëshiron të transferojë edhe Angel Di Marian tek Interit. Agjenti portugez ua ka ofruar argjentinasin pikërisht zikaltërve. Mirëpo duket se drejtori sportiv i Interit, Ausilio ka qenë i qartë, duke vendosur dy kushte për realizimin e këtij transferimi. Së pari ka kërkuar ulje të rrogës së lojtarit, nga 9 milionë euro që përfiton aktualisht te PSG-ja, në 6 milionë. Kurse kushti tjetër lidhet transferimin e Joao Marios, i cili ka gjithashtu për menaxher patriotin e tij, Jorge Mendes. Interi ka kërkuar 30 milionë euro nga shitja e Joao Marios, para’ që më pas do t’i investojë tek Di Maria. Kështu për veshjen zikaltër të argjentiasit, Mendes duhet të gjejë një sistemim të përshtatshëm për portugezin Joao Mario.

bale
Në krahun tjetër të Milanos, kanë mbetur të fiksuar pas Alvaro Moratas. Në këtë drejtim, shtypi italian ka raportuar mbi një udhëtim të Fassone e Mirabelli në Londër për të kontaktuar me sulmuesin spanjoll, që mund të jetë i detyruar të largohet nëse te blutë vjen Gonzalo Higuain, i preferuari i Sarrit. Duke mbetur në Angli, Manchester United ka zyrtarizuar shitjen për 19 milionë euro të Daley Blind tek Ajaksi, aty ku mbrojtësi holandez kthehet pas 2 vjetësh. Ndërkohë, po “Djajtë e Kuq” flitet se janë duke menduar për Ivan Perisic dhe Ante Rebic, dy kroatët që kanë mbresë në Botëror. Thuhet se dyshja kroate mund t’i kushtojë 100 milionë euro klubit anglez. Mourinho ka objektiv edhe Gareth Bale, por duket se duhet të dorëzohet. Uellsiani ka shtuar shanset e qëndrimit te Reali, përderisa ka zhvilluar biseda pozitive me drejtuesit madrilenë. Ai ishte njëri prej atyre që la të hapur mundësinë e largimit pas finales së Champions League. Por sipas mediave spanjolle, tani duket afër qëndrimit në Madrid, aq më tepër kur janë larguar Zidane dhe Ronaldo, dy prej atyre që janë cilësuar si kundërshtarë të tij.
.