Nga çfarë varet “fati” i Milan?

Sport

Nuk ka asnjë dyshim se vijimësia e këtij sezoni për Milanin, varet shumë nga rezultati që do të marrë në derbi ndaj Interit. Nëse kuqezinjtë arrijnë të triumfojnë, atëherë do të ngushtonin diferencën me kryesuesit zikaltër, e në këtë mënyrë gara për titullin kampion do të bëhej shumë interesante në javët e ardhshme të kampionatit. Në të tilla kushte, kjo është rruga e vetme që të besuarit e trajnerit Stefano Pioli të shpresojnë për të fituar trofeun e Serisë A këtë edicion, diçka që në kabinetin e tyre mungon që prej 2011-tës.

Në të njëjtën linjë mendimi shkon edhe sulmuesi i kuqezinjve Olivier Giroud. Vetëm disa orë përpara derbit, francezi ka folur për derbin ndaj rivalëve të qytetit, teksa shprehet shumë optimist se ndaj Interit, Milani i ka të gjitha kapacitetet për të marrë një rezultat maksimal.

“Kemi besim se mund ta fitojmë kampionatin. Nëse triumfojmë në derbi, atëherë kemi mundësinë për të besuar deri në fund. Madje, do thoja se objektivi im personal më i madh i këtij viti është pikërisht që të fitojmë titullin kampion. Në mendje kam vetëm Milanin dhe asgjë tjetër, sigurisht edhe familjën time”, janë fjalët e sulmuesit të qendrës.

Sa i përket këtij sezoni futbollistik, Giroud është aktivizuar 14 ndeshje në Serinë A dhe deri më tani ka arritur të shënojë 5 gola dhe të shërbejë 2 asist për shokët e skuadrës.