Neymar sërish mes polemikave pas kartonit të kuq ndaj Bordeaux!

Sport

Neymar vijon të jetë protagonist negativ për skuadrën e PSG, pasi sikur të mos mjaftonin polemikat dhe kritikat pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Dortmund në ‘Champions League’, braziliani tani po përflitet së tepërmi rreth kartonit të kuq në sfidën me Bordeuax. Neymar nuk mundi të lërë gjurmën e tij me gol apo asist në fitoren e vështirë 4-3 të PSG, por në minutën e 92-të, ai siguroi vëmendjen e të gjithëve me kartonin e dytë të verdhë, për një ndërhyrje krejtësisht të pashpjegueshme në mesfushë. Lojtari gjithësesi është pezulluar vetëm një ndeshje nga ana e disiplinës, ndërsa trajneri Tuchel, me të cilin pati jo pak fërkime pas sfidës me Dortmund, ka dalë në mbrojtje të brazilianit, duke thënë se edhe Neymar është njeri dhe mund të gabojë. Por sipas asaj që raportojnë mediat në Francë dhe Brazil, lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbollit e ka kërkuar qëllimisht ndëshkimin e tij me karton të kuq. Kjo për arsye se ka dashur të udhëtojë drejt vendlindjes së tij.
Klubi francez ka nxituar menjëherë të hedhë poshtë këto zëra, por precedentët e kaluar tregojnë se kjo është një mënyrat e brazilianit për t’i dhënë gjërave drejtimin që ai vetë kërkon. Gjithësesi, ka qenë një ndërhyrje e drejtuesve kryesorë të PSG që kanë sqaruar dhe kanë zgjidhur këtë situatë. Marrëdhënia mes Neymar dhe PSG vijon të jetë e lëkundur, që pasi lojtari shprehu hapur dëshirën për të bërë rikthimin e tij tek Barcelona gjatë verës së kaluar, diçka që nuk u kompletua. E gjithë kjo situatë, ka bërë që thuajse çdo fjalë apo lëvizje e Neymar të shihet me dyshim, çfarë po ndikon negativisht edhe tek pjesa tjetër e lojtarëve të skuadrës kampione të Francës.