Neymar vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, sa i takon merkatos që po zien këto ditë në Evropë. Francezja “L’Equipe” ka raportuar së fundi se Paris Saint-Germain ka hedhur poshtë përpjekjet e Real Madrid për ta transferuar anësorin brazilian në kryeqytetin spanjoll. Konkretisht, ‘Los Blancos’ kanë rritur ofertën e tyre duke i dhënë ekipit francez 100 milionë euro, plus jo më pak se tre lojtarë, që besohet të jenë saktësisht James Rodriguez, Gareth Bale dhe Keylor Navas. Një ofertë e rëndësishme, sidomos nëse krahasohet me huazimin me opsion blerjeje përfundimtare, të kërkuar pa sukses nga Barcelona. Mirëpo mësohet se PSG nuk ka pasur mëdyshje, duke refuzuar ofertën menjëherë. Në një kohë kur Barcelona, por edhe Juventus përfliten se mbeten në kërkim të firmës me yllin brazilian.
Duket se kampionët e Ligue 1 janë në kërkim vetëm të një shume prej 222 milionë eurosh, në mënyrë që të lënë të lirë 27-vjeçarin, i cili ka shprehur hapur dëshirën për të ndëruar ambient, pas 2 sezoneve të kaluara nën Kullën Eifel. Mesa duket, kartonët Bale, James e Navas nuk janë konsideruar të mjaftueshëm në mënyrë që të mbulojnë 122 milionët që mungojnë për të arritur shumën e kërkuar. Prandaj, PSG ka vazhduar të rezistojë në kërkesat e veta. Kështu, Neymar mbetet një nga rebusët e merkatos, që presin ende zgjidhje kur kanë mbetur ende pak ditë nga mbyllja e periudhës së transferimeve.