Neymar nuk do të jetë më kapiten i Brazilit, Tite i kalon shiritin Dani Alves!

Sport

Neymar është nga ata lojtarë që gjithmonë di të jetë në qendër të vëmëndjes, herë me lojën dhe talentin e tij, e herë me veprimet brenda apo jashtë fushës. PSG u mposht në finalen e ‘Kupës së Francës’ nga skuadra e Rennes. Pas 90 minutave të mbyllura në barazim 2-2, Rennes do të triumfonte 6-5 me penallti. Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së medaljeve, Neymar pati një përplasje me një tifoz, të cilin madje dhe provoi ta godiste apo ta shtynte. Veprimi i brazilianit u dënua nga shumë personalitete të futbollit, ndërsa vetë klubi i PSG nuk dha një reagim në lidhje me këtë ngjarje.

Por edhe pse kanë kaluar rreth 1 muaj që nga ngjarja, Neymar tashmë përballet me pasojat e veprimeve të tij. Trajneri i Brazilit, Tite, ka vendosur t’i heqë Neymar shirtin e kapitenit, pikërisht për shkak të sjelljes së tij me tifozin e Rennes. Këto janë konfirmimet që vijnë nga kampi i ‘Selecao’-s, që ka vijuar me stërvitjen për ‘Copa America’. Shiriti i kapitenit tashmë i ka kaluar Dani Alves, një veteran që Tite e njeh mjaft mirë dhe që e ka bërë pjesë të skuadrës së tij. Neymar duket se e ka pranuar pa kundërshtime vendimin e trajnerit të tij, kjo edhe për shkak të marrëdhënieve të mira që ylli i PSG ka me Titen dhe shokun e skuadrës, Dani Alves.