Neymar mbyll sezonin, braziliani dëmtohet gjithmonë në të njëjtën periudhë të vitit

Sport

Neymar mbyll sezonin. Dëmtimi në kavilje i brazilianit në ndeshjen ndaj Lille ka rezultuar më i rëndë nga sa pritej. Me anë të një komunikimi në kanalin zyrtar, PSG ka bërë me dije se futbollisti do mungojë për 3-4 muaj, çka do të thotë se sulmuesi do rikthehet në fushën e lojës me kampionët francezë, vetëm në sezonin e ardhshëm.

Sikurse vijon më tej klubi në njoftim, përgjatë ditëve të ardhshme, Neymar do t’i nënshtrohet një operacioni në Doha, e më pas do të fillojë me procesin e rikuperimit. Padyshim që mungesa e 31 vjeçarit mund të ndikojë shumë në ndeshjet e ardhshme të PSG, aq më tepër kur faza finale e sezonit ka nisur.

Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe vetë futbollisti, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar se do rikthehet më i fortë nga ky dëmtim. Në 29 ndeshje të luajtura këtë sezon me Parisin, Neymar ka shënuar 18 gola dhe ka kontribuar me 17 asist për shokët e skuadrës.

Që prej 2017-tës kur u bashkua me PSG, kjo nuk është hera e parë që Neymar dëmtohet rëndë pikërisht në këtë fazë të sezonit. Në 2018-tën, braziliani mungoi në raundin e 1/8-tave ndaj Real Madrid dhe Parisi u eliminua.

Një vit më vonë, Neymar mungoi sërish në raundin e 1/8-tave ndaj Manchester United dhe Parisi sërish u eliminua. Kështu ndodhi edhe në vitin 2021, kur Parisi u përball me Barcelonën, por ishte një mungesë që nuk ndikoi në skuadër, sepse klubi parizien u kualifikua ndaj atij spanjoll.