Pas dëmtimit, ja vendimi që mjekët kanë marrë për Neymar

Sport

Dëmtimi që Neymar pësoi në grumbullimin me kombëtaren braziliane vuri në lëvizje drejtuesit e PSG, të shqetësuar se mos lojtari i tyre kishte të njëjtin lëndim si një vit më parë. Megjithatë dy nga mjekët të njohur të botës së sportit, që janë angazhuar në analizimin e gjendjes së Neymar nga PSG, kanë siguruar se lojtari ka pësuar një ndrydhje të thjeshtë dhe që nuk ka nevojë për operacion. Nëse Neymar do t’i duhej t’i nënshtrohej një tjetër operacioni, atëherë kësaj radhe brazilianit do t’i duheshin më shumë javë rikuperimi se sa një vit më parë. Sipas analizave të bëra nga stafi mjekësor që kujdeset për Neymar, 27-vjeçari ka nevojë për një pushim prej të paktën 4 javësh. Vetëm pas 1 muaji, ai mund të rikthehet sërish në fushë dhe të fillojë stërvitjen e lehtë me topin.


Ndërsa në kryeqytetin francez shumë tifozë janë të shqetësuar, por edhe të pakënaqur nga dëmtimet e shpeshta që pëson shpenzimi më i madh i klubit të tyre. Mjekët kanë sqaruar se këto dëmtime të shpeshta të lojtarit vijnë për shkak të stilit të tij të lojës. Neymar luan shpejt me topin, driblon duke u kthyer fort dhe bën finte të shumta. Kjo sipas mjekëve bën që kockat dhe muskujt e tij të kërkojnë më shumë energji për të përmbushur veprimet që kërkon Neymar. Por ka edhe raste të tilla kur energjitë shterojnë dhe kthesat e shumta kanë bërë që kaviljet t’i shkaktojnë lojtarit dhimbje të forta, e deri në dëmtime të tilla që mund të rrezikojnë seriozisht edhe vazhdimësinë e karrierës së lojtarit.