Merr fund ankthi i tifozëve katalanas. Tashmë është zyrtare, Neymar do jetë lojtar i Barcelonës deri në vitin 2021. Sulmuesi brazilian ka firmosur ripërtëritjen e kontratës duke i vënë vulën cdo lloj spekulimi mbi të ardhmen e tij. Prej më se dy muajsh zëra të ndryshëm raportonin për një pakënaqësi të futbollistit me ambientin por edhe me drejtuesit e Barcelonës, me shtypin ndërkombëtar që spekulonte një kalim të mundshëm në radhët e Mancehster United. Por ashtu sikurse e kishte deklaruar edhe presidenti Bartomeu, Neymar nuk do të largohet nga Kamp Nou. Lajmi i ripërtëritjes së kontratës është bërë me dije nga vetë futbollisti, i cili ka postuar në profilin e tij zyrtar twitter një foto me nënshkrimin “Shumë i kënaqur me faktin se do të vazhdoj të jetoj këtë ëndërr! Rroftë Barca! Rroftë Katalonja!’. Ndër ankthet kryesore që kishte trazuar jo pak tifozerinë ishte një kalim i supozuar te rivalët e Realit të Madridit, gjë që Neymar ka mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kontrata e vjetër e 24-vjecarit skadonte në vitin 2018 por klubi e ka zgjatur edhe me tre vite duke e rritur klauzolën e largimit nga 190 në 220 milionë euro. Gjithashtu shifrat e pagës së tij janë rritur duke shkuar në 15 milionë, nga 9.2 që përfitonte me kontratën e vjetër. Neymar gjithsesi ka treguar se i meriton këto para duke shënuar 55 gola në 93 ndeshje që kur u transferua në vitin 2013-të nga Santosi.