Neymar gjen akordin me Al Hilal

Sport

Para pak ditësh, Neymar kishte kërkuar largimin nga skuadra e Paris SG dhe të gjithë prisnin rikthimin e brazilianit tek Barcelona. Mirëpo gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç tifozët katalanas kishin shpresuar. Neymar ka gjetur marrëveshjen për t’u transferuar drejt Arabisë Saudite, ku do të firmosë me skuadrën e Al Hilal. 31-vjeçari do të përfitojë plot 160 milionë euro për dy sezone që do të kalojë tek klubi saudit, ndërkohë që sulmuesi nuk ishte i grumbulluar nga tekniku Luis Enrique në takimin hapës të kampionatit për Paris SG. Sa i përket kampionëve të Francës, parizienët pretendojnë diçka më shumë se 150 milionë euro për kartonin e Neymar, duke qenë se lojtari ka një kontratë me ta, të vlefshme deri në verën e 2027-ës. Nga Riadi nuk duken shumë të bindur për këtë kërkesë të klubi francez, me ofertën e parë të sauditëve që konsistonte në 100 milionë euro, duke llogaritur këtu edhe bonuset. Mes palëve gjithësesi thuhet se mund të gjendet një marrëveshje brenda javës, duke kompletuar transferimin e Neymar drejt Arabisë Saudite. Kështu, sulmuesi brazilian do t’i thotë lamtumirën ‘Parc des Princes’ pas 6 vitesh. Ai u transferua nga Barcelona në kryeqytetin francez në verën e 2017-ës, për shifrën rekord të 222 milionë eurove. Edhe pse mediat europiane raportonin se përfaqësuesit e Neymar kishin një akord verbal për rikthimin tek Barcelona, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Katalanasit nuk ofronin më shumë se 13 milionë euro në sezon si pagë për lojtarin, ndërkohë që tek Al Hilal, Neymar do të fitojë 80 milionë euro brenda një viti. Pasi nuk ia dolën të firmosnin me Mbappe apo Osimhen, ata të Al Hilal ia dalin të sigurojnë një sulmues të profilit të lartë, duke iu bashkuar të tjera transferimeve të rëndësishme të klubit saudit, si Koulibaly, Malcolm, Ruben Neves apo Milinkovic-Savic.