Brazili preu biletën për në cerekfinale, por vëmendjen më të madhe pas ndeshjes me Meksikën e mori Neymar, si protagonist pozitiv dhe negativ. Përveç golit dhe asisit, u dallua edhe për skenat e zakonshme duke irrituar lojtarët dhe stafin teknik meksikan. Veçanërisht, të besuarit e Osorios u nervozuan kur braziliani u përpëlit, pas një shkeljeje që i bëri mbrojtësi Layun në anë të fushës. Pikërisht për këtë episod foli edhe vetë Neymar, i cili u lëshoi një shigjetim meksikanëve: “Ishte diçka e parregullt, sepse në atë moment, topi nuk ishte në lojë dhe ishim jashtë fushe… Meksika foli shumë përpara ndeshjes, ndërsa tani duhet të shkojë në shtëpi. Gjatë 90 minutave më mbytën me faulle. Për ne ishte një ndeshje mjaft e vështirë, por ditëm të vuajmë. Jam i kënaqur për paraqitjen time dhe sidomos për atë të skuadrës”, deklaroi Neymar.Mirëpo nuk ka vonuar replika e teknikut të Meksikës, Juan Carlos Osorio, që u tregua i pakursyer kundrejt brazilianit: “Neymar është një palaço dhe është vërtet një turp të humbasësh ndeshjen për fajin e tij. Gjyqtari Rochi nuk i tha kurrë asgjë. Prandaj lojtarët e mi u nervozuan. Do thoja se futbolli është një lojë për burra, jo për kllounë”.
Me pak fjalë, askush nuk i pëlqen simulimet e Neymar. Mirëpo statistikat janë në anën e tij dhe konfirmojnë se është vendimtar për Brazilin. E jo vetëm një nga yjet që i ka mbetur këtij Botërori. Ai ka kontribuar në 8 gola brazilianë (6 realizime e 2 asiste) gjatë 9 ndeshjeve të luajtur në Kupat e Botës, përfshi edhe edicionin e para 4 vjetëve kur i dha fund ëndrrës me një dëmtim në të tetat e finaleve ndaj Kolumbisë. Dhe golat e shënuar prej tij kanë ardhur pas 38 finalizimeve, një numër i reduktuar nëse konsiderohet se Messit e Ronaldos i janë dashur respektivisht 67 dhe 74 gjuajtje, për të arritur 8 gola. Sa i takon këtij edicioni, Neymar është njeriu kryesor i Selesaos, teksa komandon për finalizime, 23; gjuajtje në portë, 12; raste të krijuara për shokët 16, si dhe faulle të pësuar 23. Nuk duket se ka dyshime që “O’Ney” është drita e këtij Brazili në rrugën për të fituar Kupën e Botës. Triumf që mund ta bënte edhë atë kandidat për “Topin e Artë”.