Neymar drejt largimit nga PSG, ja ku dëshiron të luajë braziliani

Sport

Pasi ka përjetuar një epskeriencë në Spanjë dhe një tjetër në Francë, Neymar JR po bëhet gati të ndërrojë skuadër. Më tepër sesa vetë dëshira e futbollisitit për t’u larguar nga PSG, pritet të jetë vendimi i klubit parizien që në merkaton e kësaj vere, të ndajë rrugët me brazilianin.

Të paktën kështu nënvizohet në mediat britanike, se klubi kampion i Ligue 1 nuk e shikon sulmuesin pjesë të planeve për të ardhmen, ndonëse ky i fundit ka të vlefshme një kontratë edhe për 2 edicione të tjera.

Situata e Neymar në qytetin e dritave ka ardhur duke u përkeqësuar, sidomos këtë edicion futbollistik. Fillimisht, ai është konfliktuar me shokët e skuadrës, duke i akuzuar ata për rezultate të dobëta, çka solli në këtë mënyrë edhe tension në dhomat e zhveshjes. Ky veprim i yllit brazilian ka shkaktuar edhe reagimin e tifozëve të klubit, të cilët kërkojnë largimin e tij nga skuadra, pasi e konsiderojnë 31 vjeçarin të padobishëm në fushën e lojës.

Në një panoramë si kjo, Neymar e ka kuptuar se nuk preferohet më në “Parc des Prines”, e për këtë arsye po planifikon të bëjë hapin e radhës. Ish-lojtari i Barcelonës ëndërron të luajë në Premier League. Manchester United është klubi që më herët ka treguar interes për të firmosur me anësorin e sulmit, por mbetet për t’u parë nëse 20 herë kampionët e Anglisë do provojnë ta bëjnë diçka të tillë përgjatë merkatos së verës.

I transferuar në radhët e PSG në 2017-tën për shifrën e 222 mln eurove, Neyar vijon të jetë ende lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbollit.