Nëpër Botërorë, gjithmonë e më shumë bëhen protagonistë kampionët e mëdhenj. Jo sepse shpesh janë ata që vendosin fatat e skuadrave respektive, por edhe për atë se çfarë shfaqin brenda dhe jashtë fushës. Në rastin konkret, si fillim ishte rënia dhe ringjallja e Messit, që kaloi nga penalltia e gabuar kundër Islandës tek goli madhëshor përballë Nigerisë, duke kontribuar në kualifikimin e argjentinasve. Pa harruar as Cristiano Ronaldon, që nisi me një tripletë ndaj Spanjës, për të vijuar me golin e fitores në ndeshjen ndaj Marokut. Ndërsa përballë Iranit gaboi një penallti, duke rrezikuar deri edhe të hedhë në erë gjithçka me një karton të kuq. Neymar është lojtari i tretë që hyn mes atyre më të mëdhenjve të futbollit të ditëve të sotme. Braziliani, në sfidën e parë me Zvicrën, shfaqi versionin e tij më të keq: veprime jo bindëse, rrëzime të bujshme dhe një mungesë ndikimin në lojën e Selesaos. Në sfidën e dytë me Kosta Rikën, gjëja më e bukur dhe cliruese ishte goli.
Aq sa vuajtjen e përjetuar në atë takim, e shfryu me lot. Kundër Serbisë u vërejt një ndërrim marshi, që bën të shpresojnë tifozët e Brazilit. Neymar nuk është Cristiano Ronaldo, sepse nuk ka një personalitet të tillë që të ketë vëmendjen e shokëve të skuadrës. Por Neymar nuk është as Messi, që udhëheq Argjentinën me shembullin e heshtur, duke kërkuar të marrë shpesh i vetëm përgjegjësitë, për të arritur aty ku të tjerët nuk munden. Sidoqoftë, Neymar ka atë talent në gjendje për të bërë diferencën në brendësinë e Selesaos. Por kjo mund të mos mjaftojë. Prandaj, duke nisur nga ndeshja me Meksikën, ai ka deytyrën të rritet në personalitet dhe sidomos sa i takon impaktit me skuadrën. Me pak fjalë, që dëshira e tij për të shkuar ndonjëherë edhe përtej limiteve, të ndikojë edhe te pjesa tjetër e Brazilit.