Një nga klubet që pritet të jetë më shumë aktiv gjatë kësaj merkatoje verore, është Newcastle nga ‘Premier League’. Me ardhjen e pronarëve të rinj, bardhezinjtë tashmë kanë projektin dhe financat e duhura për të ndërtuar një skuadër ambicioze, që do të rriste edhe pretendimet e këtij klubi nga sezoni i ardhshëm. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Newcastle ka vendosur nën shënjestër golashënuesin më të mirë të momentit në ‘Serie A’, Ciro Immobile. Sulmuesi i Lazios ka fituar vëmendjen e të gjithëve me me 27 gola dhe 7 asiste gjatë këtij sezoni në kampionatin italian dhe për këtë arsye, tek Newcastle e kanë vendosur në listën e dëshirave kryesore të merkatos. Siç zbulojnë mediat italiane, klubi anglez ka përgatitur edhe një ofertë, e cila konsiderohet si e parezistueshme për presidentin Lotito të Lazios. Për kartonin e 30-vjeçarit, Newcastle do t’i ofrojë Lazios plot 55 milionë euro, ku mund të përfshihen edhe disa bonuse. Ndërsa sa i përket kontratës me lojtarin, anglezët janë të gatshëm të firmosin me Immobilen për 5 sezone, ku sulmuesi do të përfitojë plot 8 milionë euro në sezon. Megjithatë, lidhja e Immobiles me Lazion mbetet një problem, pasi 30-vjeçari thuhet të jetë në bisedime edhe për rinovimin e kontratës me skuadrën kryeqytetase. Për momentin, oferta e Newcastle nuk është zyrtare, por nëse në të ardhmen, klubi anglez do të ulet në bisedime me Lotiton me të tilla shifra, atëherë kalimi i Immobiles drejt ‘Premier League’-ës mund të kthehet në realitet.