Alvaro Morata mund të zbarkojë për të tretën herë në Itali dhe për të tretën herë, mund të veshë fanellën e Juventusit. Sikurse bëhet me dije nga mediat e huaja, drejtuesit e klubit italian po punojnë për t’u përforcuar me një sulmues.
Objektivi kryesor është Romelu Lukaku, me belgun, që pas aventurës me Interin, tanimë mund të vishet bardhezi. Sidoqoftë, nëse Lukaku nuk sigurohet, atëherë plani B është pikërisht Morata, një figurë mjaft e njohur në kampin torinez. 30 vjeçari ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme me Atletico Madrid. Mirëpo, për të mos e humbur lojtarin me parametra zero, klubi Rojiblancos është gati të nisë negociatat për shitjen e spanjollit.
Madje, kryeqytetasit e Spanjës i kanë ndezur dritën jeshile Juventusit për të vazhduar prcesin e transferimit të Moratas.
Ndonëse nuk premton më formn e dikurshme, Morata, mbetet një lojtar i preferuar i trajnerit Massimiliano Allegri, i cili e njeh në detaje personazhin në fjalë, e mund ta përshtasë mjaft mirë në stilin e tij të lojës.
Sa i përket aventurës së mëparshme të Moratas me Juventusin, ajo është e ndarë në dy epoka, të dyja me nga dy sezone. Gjithçka nisi në 2014-tën, e deri në 2016-tën. Më pas, nga 2020-ta, deri në 2022-shin.
Në total, me Zonjën e Vjetër, Morata numëron 185 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, në të cilat ka shënuar 59 gola, e ka kontribuar gjithashtu me 39 asiste.