Nëse nuk shënon Lautaro Martinez, Interi nuk fiton dot

Sport

Nëse nuk shënon Lautaro Martinez, Interi nuk fiton dot, të paktën në vitin 2023. Ndonëse ka disa sulmues të tjerë në përbërje, kampioni i botës ka arritur që këtë sezon të kthehet në elementin më thelbësor të skuadrës zikaltër.

Në 8 ndeshje përgjatë të gjitha garave në 2023-shin, Lautaro ka arritur të realizojë 6 gola dhe falë këtyre finalizimeve, Interi ka fituar 4 ndeshje dhe ka barazuar vetëm një. Në rastet kur sulmuesi në fjalë nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës, Interi është mposhtur dy herë dhe ka barazuar në një rast tjetër.

Me rikthimin nga Kupa e Botës, 25 vjeçari ka treguar një formë mjaft të mirë fizike dhe kjo e ka avantazhuar atë nga sulmuesit të tjerë të skuadrës, sikurse janë Edin Dzeko, apo edhe Romelu Lukaku, me këtë të fundit që përgjatë këtij sezoni është kushtëzuar nga dëmtimet.

Sidoqoftë, belgu po përpiqet të tregojë shenja përmirësimi, sikurse ishte goli i shënuar në Champions League ndaj Portos në takimin e vajtjes, të fituar 1-0 nga zikaltërit.

Interi i këtij sezoni nuk ka treguar qëndrueshmëri në rezultate. 7 humbje deri në këtë fazë të sezonit, për një skuadër që kishte ambicie për titullin kampion, janë jashtëzakonisht shumë. Në kushtet, kur 19 herë kampionët e Italisë ndodhen 18 pikë prapa kryesuesve të Napolit, objektivi i tyre tashmë është që të marrim sa më tepër pikë në kampionat, të shkojnë sa më larg në Champions League dhe gjithashtu të synojnë mbrojtjen e titullit në Kupën e Italisë.