Faza finale e këtij sezoni, mund të jetë vendimtare për të ardhmen e trajnerit Simone Inzaghi në krye të Interit. Ndonëse zikaltërit renditen në vend të dytë në kampionat, fakti që janë 15 pikë prapa Napolit, padyshim që ka lënë një shije të hidhur në ambientin interist, sepse atje besojnë se skuadra zotëron kapacitetin për të tentuar edhe titullin kampion.
Në kushte si këto, nëse në fund të sezonit, Inzaghi shkarkohet nga detyra për shkak të rezultateve të pakënaqshme, atëherë për të marrë drejtimin e Interit janë 3 emra me mjaft peshë të trajnimit. Një prej tyre është Jose Mourinho, i cili është diskutuar jo pak për një largim të mundshëm nga Roma.
Portugezi është i mirëpritur në radhët e Interit, sidomos nga ana e tifozëve të klubit, të cilët ruajnë kujtime të paharrueshme me të, diçka më tepër se një dekadë më parë.
Një tjetër emër që mund të rikthehet tek Interi është edhe Antonio Conte. Dy vite më parë, italiani riktheu titullin kampion në shtëpi, trofe që në kabinet mungonte prej një kohe të gjatë.
Po ashtu, sipas informacioneve të përcjella nga mediat ndërkombëtare, në skenë për të marrë drejtimin edhe e Interit ka dalë edhe Thomas Tuchel. Që prej shkarkimit nga Chelsea në nisje të këtij sezoni, gjermani vijon të jetë i papunë, ndonëse është diskutuar jo pak për të marrë drejtimin e skuadrave të ndryshme.
Mirëpo, për gjiçka që u fol më sipër, çdo gjë do të varet ecuria që trajneri actual i Interit, Simone Inzaghi do ketë deri në fund të sezoni. Italiani është i lidhur në një kontratë me Interin deri në verën e 2024-tës.