NE TJETER SHQIPTAR NE SHENJESTREN E KLUBIT TE SERIE A

Sport

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi mund të konsiderohet padyshim zbulimi i vitit në skuadrën rumune, CFR Cluj. Aq sa tashmë ka ngjallur interesimin e disa skuadrave të rëndësishme evropiane. Ish-lojtari i Ballkani ka impresionuar që nga transferimi i tij te Kluzh, si rrjedhojë edhe ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave kryesore, përfshi edhe Lacion në Serinë A, gjë që e ka konfirmuar edhe menaxheri i lojtarit, Giovani Becali.

“Një klub është i interesuar për Krasniqin. Unë kam një shok me origjinë shqiptare që ka pozitë në disa klube…. Kaq mund të them. Nga ana tjetër, Krasniqi është lojtar i rëndësishëm, është vetëm 24 vjeç, ka ardhur nga askund dhe është befasia e CFR-së. Vlerësohet rreth 4 milionë euro”, ka thënë Giovani Becali për mediat rumune.

Sipas SpotMedia.ro, klubi që kërkon Krasniqin janë pikërisht bardhekaltërit, e drejtuar nga Maurizio Sarri dhe ku drejtor sportiv është pikërisht ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare. Kujtojmë që Krasniqi është blerë nga CFR Cluj për 200 mijë euro nga Ballkani dhe rumunët janë afër arritjes së një marrëveshjeje të rëndësishme. Ballkani zotëron gjithashtu 15 për qind të një transferimi të mundshëm në të ardhmen për 24-vjeçarin kosovar, që deri tani ka 4 shënuar gola dhe ka shërbyer një asist në 9 ndeshjet e luajtura për Cluj në kampionatin e futbollit në Rumani.