Në Spanjë janë të sigurt, Vinicius do jetë fituesi i “Topit të Artë”
Në Spanjë janë të sigurt, Vinicius Junior do të jetë fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2024. I përditshmja Marca, ka zbuluar se sulmuesi anësor i Real Madrid nuk ka rivalë sa i përket këtij drejtimi, pasi kandidatët e tjerë, Rodri, Dani Carvajal, Jude Bellingham, apo Lautaro Martinez, nuk kanë shkuar dot në lartësinë e votave që ka marrë Vinicius.
Në sezonin që lamë pas, Vinicius ishte një protagonist absolut në sukseset e Real Madrid. Kontributi i brazilianit rezultoi i jashtëzakonshëm në suksesin e dyfishtë, si në La Liga, ashtu edhe në Champions League. Madje, 24 vjeçari, arriti të shënonte edhe një gol në finalen e madhe të Ëembley, duke treguar edhe një herë, peshën që ka fituar në organikën e 15 herë kampionëve të Europës.
Për herë të parë në Madrid, 24 vjeçari zbarkoi në 2018-tën, atëherë kur Reali e bleu për 45 milionë euro nga Flamengo. Ndonëse nisja e epokës në kryeqytetin spanjoll ishte e vështirë, Vinicius arriti të ngjitej në nivelin më të lartë të futbollit, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa për pak kohë, do të titullohet zyrtarisht, edhe si futbollisti më i mirë në botë për vitin 2024. Me fanellën e bardhë, Vini ka luajtur 272 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Ka shënuar 86 gola, e ka dhënë 80 asiste. Trofe të fituar janë 13. Mes tyre, 2 Champions League dhe 2 La Liga.
Këtë vit, ceremonia e Topit të Artë, do të organizohet në 28 Tetor, në Paris. Vinicius, do të shfronësojë Lionel Messin, i cili një vit më parë, e fitoi një titull të tillë, për të tetën herë në karrierë.
Që nga viti 2007, Vinicius do të bëhet braziliani i parë që fiton Topin e Artë, atëherë kur triumfonte Ricardo Kaka.