Në Spanjë e thonë të sigurt, Reali do të lëvizë në verë për të transferuar një portier

Sport

reali porter
Reali i Madridit do të lëvizë me patjetër në merkato për një portier këtë verë. Kështu raportoi të enjten “El Transistor” në Spanjë. Gazeta AS citoi gazetarin Jose Ramon de la Morena, i cili në programin e tij sportiv në Onda Cero këmbëngulte se Los Blancos do të ndryshojnë me patjetër gardianin e portës. Sipas burimeve të tij, në Madrid vazhdojnë të jenë skeptik për të ardhmen e Keylor Navasit si portier i parë. Megjithëse u tregua i jashtëzakonshëm në sfidën me Bayernin, kostarikani ka patur kritika të vazhdueshme këtë sezon. Situata nuk duket aspak pozitive për faktin se prej kohësh në radarët e Realit kanë qenë dy portierë me emër, David De Gea dhe Thibaut Courtois. Që të dy me përvojë në Madrid si ish-portierë të Atleticos.

real portier

Por nëse i pari duket i blinduar në radhët e Manchester United-it, për të dytin emision “El Transistor” thekson se ka një mundësi reale për transferim për faktin se sipas tyre, vetë belgu u ka komunikuar drejtuesve të klubit se nuk do ta ripërtërijë kontratën dhe se mendon largimin nga Londra. Gjendja në radhët e Madridit duket e cuditshme për sa i përket portës. Në janar u raportua se Kepa Arrizabalaga, i Athletic Bilbaos do të ishte portieri i ri i Realit, por gjërat nuk shkuan aspak sipas parashikimeve, ndërkohë edhe Kiko Casilla duket se do të kërkojë një tjetër skuadër, për të pasur më shumë mundësi për të luajtur. Pas gjithë kësaj analize, “El Transistor” thekson se Reali do të lëvizë me patjetër për të marrë një portier në verë, dhe me gjasa ai do jetë Courtois, tjetër gjë se tifozët madrilenë mund të mos e pëlqejnë pas sfidës së fundit Barcelona-Chelsea.