Në Spanjë do vazhdojë futbolli, ndeshjet do luhen çdo 48 orë

Sport

Prej disa javësh, thuajse në gjithë Europën, futbolli është ndalur për shkak të pandemisë që ka “pushtuar” botën. Të shumta kanë qenë teoritë si do të veprohet me pjesën e mbetur të sezonit futbollistik. Përsa i përket La Ligas, mediat në Spanjë raportojnë se në një takim është mes Federatës së Futbollit Spanjoll, dhe Shoqatës së Futbollistëve, është dakordësuar, që të luhet me dyer të mbyllura, ndërsa për të mbërritur sa më shpejtë në përfundim, do të luhet çdo 48 orë. Sigurisht që në një situatë të zakonshme kjo do të ishte e pakonceptueshme të ndodhte, mirëpo në kushtet e ditëve të sotme, duket se një vendim i tillë ka qenë i detyruar për të gjitha palët. Që takimet të luhen me dyer të mbyllura, sigurisht që bëhet për shëndetin njerëzor, mirëpo në të njëjtën kohë, stdiumet e boshatisura do të kenë edhe një kosto shumë të madhe. Nga mosprecenza e tifozëve, La Liga pritet që deri në fundin e kampionatit, të ketë një humbje prej 350 milionë eurosh. Nuk ka një datë të përcaktuar se kur do të fillojë kampionati, por gjithçka mendohet të zhvillohet gjatë muajve të verës, ndërsa do të merret parasysh që të mos cënohet edhe sezoni i ri futbollistik. Kur në Spanjë janë luajtur 27 javë deri më tani, kreun e mban Barcelona me 58 pikë, ndjekur nga Real Madrid me 56 pikë. Deri këtu, rruga ka qenë mjaft interesante, pasi të dyja këto skuadra kanë pasur një rivalitet të përjavshëm në garën drejt titullit. Në përfundim, të shohim se kush prej tyre do të kurorëzohet si kampion i Spanjës.