Në Itali janë të sigurt, Thiago Motta do të jetë trajneri i ardhshëm i Juventusit

Sport

Thiago Motta do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Juventusit. Në fund të këtij sezoni, Massimiliano Allegri do të largohet nga Zonja e Vjetër, me klubin që po përgatitet për një epokë të re. Mediat italiane bëjnë me dije se tekniku i ri Juves do të jetë pikërisht Motta, i cili aktualisht, është i lidhur në kontratë me Bolognan, por që i skadon në 30 Qershor të këtij viti. Skuadrën kuqeblu, ish-lojtari i Interit arriti ta kualifikonte në Champions League, vetëm për të dytën herë në historinë e klubit dhe për herë të parë me formatin e ri.

Megjithatë, ish-mesfushori nuk ka ndërmend të vazhdojë projektin në Emilia-Romagna, por është gati të hedhë hapin e madh në karrierë. Sikurse raportohet, Motta do të firmosë një kontratë dy vjeçare me Juventusin, me mundësi rinovimi edhe për një të tretë, ndërsa paga e tij do të jetë 3.5 milionë euro në sezon. Në këtë aspect, Juventusi do të kursente edhe financiarisht, sepse Allegri përfiton 9 milionë euro në sezon, plus që ka një kontratë edhe për një tjetër vit.

Marrëveshja mes Mottas dhe Juventusit duket e kryer. Gjithëçka është arritur me sukses, mirëpo, kontratë të firmosur ende nuk ka.

Duke qenë se edicioni actual nuk ka përfunduar akoma, kjo mendohet të jetë edhe arsyeja kryesore përse çështja në fjalë nuk po merr rrugë zyrtare. Gjithësesi, gjithçka pritet të shpaloset në një të ardhme shumë të afërt.